
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Faton Kutllovci ka deklaruar se ka përfituar rreth 7 mijë euro të ardhura nga kujdestaritë, përkatësisht nga puna në ndërrim të natës, ndërkohë që dyshimet e ngritura në një kallëzim penal sugjerojnë mospërputhje të theksuara mes pagesave të përfituara dhe angazhimit të tij real në këto ndërrime.
Sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2925, Kutllovci ka raportuar 25,599.25 euro të ardhura nga paga bazë në QKUK, ndërsa një pjesë e veçantë e të hyrave lidhet me kujdestaritë. Ai ka deklaruar 6,919.38 euro të ardhura neto nga puna në ndërrim të natës. Pikërisht për këtë, ndaj tij, kanë nisur hetime për mospërputhje mes pagesës dhe angazhimit real.

Përveç kësaj, deklarimi tregon edhe burime të tjera të ardhurash. Nga puna në sektorin privat, përkatësisht në Poliklinikën “Shëndeti Im”, ai ka raportuar 12,000 euro të ardhura vjetore. Ndërkohë, janë evidentuar edhe të hyra shtesë prej 4,154.24 euro nga “vëllimi i shtuar në punë” në QKUK, si dhe pagesa më të vogla nga angazhime të tjera profesionale.

Hetimet për keqpërdorim me orarin e punës
Mediat kishin publikuar një hulumtim që shpërfaq se akuza të rënda ndaj Drejtorit Faton Kutllovci për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas dokumenteve dhe pretendimeve të paraqitura përmes një Kallëzimi penal, Kutllovci dyshohet se, gjatë kohës kur figuronte si mjek kujdestar 24-orësh në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, ka ushtruar aktivitet privat në ordinancën e tij “Shëndeti Im”.
Një rast konkret i dokumentuar përmend datën 25 gusht 2025, kur ai ishte i caktuar në kujdestari, por njëkohësisht ka kryer vizitë mjekësore në klinikën private, gjë e vërtetuar përmes raportit mjekësor me vulën dhe nënshkrimin e tij. Këto pretendime janë përforcuar edhe nga gjetjet e Inspektoratit Shëndetësor, i cili pas një inspektimi në QKUK dhe në klinikën private ka konstatuar elemente që mbështesin dyshimet për shkelje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se kallëzimi penal është pranuar dhe se rasti është duke u trajtuar me prioritet të lartë, ndërsa edhe Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë të ditur se çështja është në shqyrtim nga organet e saj kompetente. Në anën tjetër, Kutllovci i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si shpifje dhe duke shprehur gatishmërinë për t’u përballur me procesin hetimor për të sqaruar rrethanat./Gazeta Insjaderi