
Një incident i rëndë me të shtëna armësh ndodhi mbrëmjen e së shtunës gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e mbajtur në hotelin Washington Hilton, ku ishte edhe presidenti i ShBA-së Donald Trump.
Sipas gazetarit veteran të CNN, Wolf Blitzer, ai ndodhej vetëm pak metra larg autorit të armatosur në momentin kur ky i fundit hapi zjarr.
“Autori ishte qartësisht i shtrirë në tokë duke qëlluar kur e pashë, isha vetëm disa metra larg,” deklaroi Blitzer, duke përshkruar momentet e frikshme që përjetoi gjatë ngjarjes.
Sipas tij, personi i armatosur ndodhej brenda zonës së siguruar të eventit, përtej pikave të kontrollit me detektorë metali, çka ngre pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë në një nga ngjarjet më të rëndësishme mediatike në SHBA, White House Correspondents’ Dinner.
“Të shtënat ishin aq të forta dhe të frikshme, sa na trembën të gjithëve,” shtoi ai. “Nuk kishim asnjë ide se çfarë po ndodhte.”
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të plota mbi mënyrën se si autori arriti të depërtojë në ambientin e siguruar, ndërsa hetimet janë në vijim. Incidenti ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me sigurinë në evente të nivelit të lartë ku marrin pjesë figura politike, gazetarë dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Autori i dyshuar tashmë është arrestuar dhe gjendet në duart e autoriteteve amerikane.