Ky është autosalloni që u sulmua me breshëri plumbash në magjistralen Prishtinë-Ferizaj

10:25 | 26 Prill 2026
ky-eshte-autosalloni-qe-u-sulmua-me-bresheri-plumbash-ne-magjistralen-prishtine-ferizaj

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 25 prillit, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, ku persona të panjohur kanë shtënë në drejtim të një autosalloni.

Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:20 deri në 00:25, kur të dyshuarit, të veshur me rroba të zeza dhe me helmeta në kokë, duke lëvizur me një motoçikletë, kanë hapur zjarr ndaj objektit. Si pasojë e të shtënave, janë dëmtuar rreth gjashtë vetura si dhe katër xhama të autosallonit.

Mediat mësojnë se bëhet fjalë për autosallonin “Alberti”.

Në vendin e ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar 16 gëzhoja, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në hetime. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa vlera e dëmeve materiale ende nuk është përcaktuar.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë sulm./Insajderi

Komento: