
Kryeministri Albin Kurti nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me çështjen e Presidentit, pasi bëri homazhe te memoriali në Prishtinë kushtuar të pagjeturve.
Pasi foli për çështjen e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, ai nuk u ndal t’u përgjigjej edhe pyetjeve të gazetarëve.
Edhe më herët sot, Kurti refuzoi t’u përgjigjej gazetarëve lidhur me çështjen e Presidentit, ndërsa po shkonte në Kuvend për një seancë të veçantë për shkrimtarin Rexhep Qosja, i cili vdiq të enjten.
LVV-ja ka kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia paraqiti në fundjavë Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit dhe i kërkoi kryeministrit garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë.
Kurti nuk është deklaruar ende për këtë, ndërsa jemi në fund të afatit për zgjedhjen e Presidentit.
Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.