Spiunazh për BIA-n, Jelena Gjukanoviq dënohet me 6 vjet burgim

13:42 | 27 Prill 2026
sot-shpallet-aktgjykimi-ndaj-te-akuzuares-per-spiunazh,-jelena-gjukanoviq

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore Jelena Gjukanoviq, ish-zyrtare e OSBE-së, duke e dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale të spiunazhit.

Sipas aktgjykimit, Gjukanoviq është shpallur fajtore për bashkëpunim me shërbimin sekret serb BIA, duke përcjellë informacione të ndjeshme që lidhen me sigurinë dhe institucionet e Kosovës.

Vendimi u shpall në seancën e sotme në Gjykatën Themelore. Leximin e aktgjykimit e bëri Rrahman Beqiri, kryetari i turpit gjykues, në praninë e prokurorit special dhe vetë të akuzuarës Jelena Gjukanoviq.

“E akuzuara Jelena Gjukanoviq shpallet fajtore për shkak të veprës penale “spiunazhi” andaj gjykata bazuar në dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale e gjykon: dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vjetëve I cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, tha Beqiri.

Ai shtoi se në dënimin e shqiptuar me burg do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 28.02.2025 e tutje.

“Urdhërohet konfiskimi i gjërave nga e akuzuara si në vijim: Samsung galaxy S8 dhe samsung galasxy S22. I vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi”, tha tutje gjyqtari Beqiri.

Kujtojmë se prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal prej 25 vjetëve, ndërsa mbrojtja kishte kundërshtuar akuzat gjatë gjithë procesit gjyqësor. /Telegrafi

Komento: