Haxhiu i thërret me emra deputetët opozitarë pasi tha se janë të obliguar të votojnë dhe ta mundësojnë zgjedhjen e Presidentit

14:50 | 28 Prill 2026
haxhiu-i-therret-me-emra-deputetet-opozitare-pasi-tha-se-jane-te-obliguar-te-votojne-dhe-ta-mundesojne-zgjedhjen-e-presidentit

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka nisur t’i thërrasë me emra deputetët që s’po marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e Presidentit.

Ajo i përmendi veç e veç emrat e të gjithë deputetëve, të cilëve u bëri thirrje që “të vijnë në seancë”.

Sipas saj, deputetët e kanë obligim të votojnë dhe ta mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.

Deputetët e pushtetit u mbledhën sërisht sot paradite në Kuvend për rundin e dytë të votimit për President, pavarësisht se nuk ishin 80 deputetë në sallë dhe pavarësisht se kjo procedurë që nisi mbrëmë, u konsiderua si cenim i rendit kushtetues të vendit nga njohës të Kushtetutës dhe organizata joqeveritare.

Haxhiu e shtyu vazhdimin e seancës për në orën 14:00, duke i ftuar deputetët e opozitës që të marrin pjesë në seancë, pasi sipas saj, ata janë të obliguar të votojnë dhe të mundësojnë zgjedhjen e Presidentit.

Mbrëmë, në seancën ku morën pjesë vetëm 64 deputetë, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara po mbrëmë nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

LVV-ja kishte kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka paraqitur emrin e Vjosa Osmanit dhe i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë.

Kurti nuk është deklaruar ende për këtë, ndërsa jemi në ditën e fundit të afatit për zgjedhjen e Presidentit.

Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri deri sonte në mesnatë, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Komento: