IKD nis nismë legjislative qytetare për ndryshimin e Kodit Penal, synon mbi 10 mijë nënshkrime

16:15 | 28 Prill 2026
ikd-nis-nisme-legjislative-qytetare-per-ndryshimin-e-kodit-penal,-synon-mbi-10-mije-nenshkrime

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës njoftimin për fillimin e nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal. Nisma mbështetet në nenin 79 të Kushtetutës dhe Ligjin për Nisma Legjislative dhe synon mobilizimin e së paku 10 mijë qytetarëve.

Sipas IKD-së, ndërhyrjet e propozuara fokusohen në dy fusha kyçe: zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe parandalimin e keqpërdorimit të parasë publike për përfitime elektorale.

“Ekziston një boshllëk normativ në Kodin Penal, pasi nuk përfshihen në mënyrë të qartë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ato janë detyruese për të gjithë,” thuhet në arsyetimin e nismës. IKD synon që përmes ndryshimeve të propozuara “të kriminalizohet refuzimi i qëllimshëm apo shmangia e vetëdijshme nga zbatimi i këtyre vendimeve nga personat përgjegjës”.

Nga organizata theksojnë se qëllimi nuk është ndëshkimi i vonesave teknike. “Qëllimi nuk është penalizimi i çdo vështirësie objektive, por vendosja e një mekanizmi efektiv për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit,” theksohet më tej.

Fusha e dytë e nismës lidhet me proceset zgjedhore. IKD vlerëson se shpërndarja e përfitimeve financiare nga institucionet publike gjatë periudhave zgjedhore mund të ndikojë në vullnetin e votuesve.

“Praktikat e shpërndarjes së ndihmave apo subvencioneve në mënyrë ad hoc me qëllim ndikimin në votë cenojnë barazinë në garën zgjedhore dhe besimin në procesin demokratik,” thuhet në njoftim.

Sipas IKD-së, ndryshimet nuk do të prekin politikat e rregullta sociale.

“Dispozita e re do të përfshijë elementin e qëllimit elektoral dhe do të përjashtojë rastet e emergjencave, fatkeqësive natyrore dhe obligimeve ligjore,” sqarohet në dokument.

IKD ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të nisë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve dhe do të angazhojë qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe grupe të ndryshme interesi.

“Synimi ynë është të sigurojmë një mbështetje sa më të gjerë qytetare për këto ndryshime të rëndësishme ligjore,” thuhet në përfundim të njoftimit.

Komento: