Kryeministri Kurti: U kam shkruar kryetarëve të partive opozitare në orën 21:00 që të vijnë në seancën e mbrëmshme, por nuk kanë kthyer përgjigjje

17:20 | 28 Prill 2026
kryeministri-kurti:-u-kam-shkruar-kryetareve-te-partive-opozitare-ne-oren-21:00-qe-te-vijne-ne-seancen-e-mbremshme,-por-nuk-kane-kthyer-pergjigjje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njofton se i ka shkruar kryetarëve të partive opozitare në orën 21:00 mbrëmë mirëpo tha se nuk ka marrë përgjigjje.

Kreu i Qeverisë ka deklaruar se në kohën sa ka qenë në opozitë nuk ka pasur këtë komunikim me kryeministrat e atëhershëm, e as presidentët, por që sipas tij vetëm është ndjekur nga policia.

“E ne nuk e kishim të qartë edhe saktësisht cila ditë është afati i fundit me thënë të drejtën, sepse nuk janë që të gjithë juristët dhe qytetarët e një mendimi që ora 24:00 sonte është afati i fundit e nuk ka qenë mbrëmë. Nuk e dimë. Tash shumica dërmuese mendojnë që e kemi edhe sonte. Shumica dërmuese, por jo të gjithë. Andaj ne duhej që sa më shpejt të vepronim. Por unë e di që rreth orës 21:00 i kam shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, edhe kryetarit të LDK-së, por nuk kam marrë përgjigje. Pra i kam shkruar rreth orës 21:00 aty, nuk ka përgjigje, nuk më përgjigjen.

Merrni me mend kur kam qenë unë në opozitë me m’pas shkruar mua kështu kryeministrat atëherë, presidentët e… kurrë. Më kanë ndjekur me polici, a e dini? Kur unë kam qenë opozitë, për mua kanë pasur polici. E kam diku, prej që kam dalë prej burgut të Serbisë, nja 28 arrestime. Kurrë të mikut e të UNMIK-ut e të policisë sonë… Domethënë, a e kuptoni? Ata kurrë s’kanë pasur interesim me komunikuar me mua. Unë mes subjekteve tona politike dhe atyre e kemi pasur ndërmjetësues policinë nja ca herë. Tash shteti është demokratik dhe në të njëjtën kohë, përveç që nuk ka më ashtu përndjekje sikurse dikur, keni një kryeministër që vazhdimisht kërkon takime me opozitën e ata kur nuk refuzojnë, as nuk përgjigjen në mesazhet telefonike.

Tash duhet pak ta shohin edhe përmasën që ta kuptojnë realitetin. Jo vetëm unë, por jo vetëm kryetarja e Kuvendit që është ushtruese e detyrës së presidentit, por edhe zëvendëskryeministri, por edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, që të gjithë kanë më shumë vota se kryetari i PDK-së. Çfarë të bëj unë që kryetari i partisë më të madhe opozitare i ka katër veta të Vetëvendosjes më të votuar? Ose çfarë të bëj unë që kryetari i partisë së dytë opozitare i ka 10 veta të Vetëvendosjes më të votuar? S’mund t’i ndërroj këto të parat, ama ky është realiteti. Këtë e kanë thënë qytetarët dhe unë po detyrohem ta përsëris sepse po detyrohem ata që në një sjellje joshtetërore e anti-institucionale ta mohojnë realitetin, ta mohojnë vullnetin e popullit, ta pranojnë për të mos e respektuar. Kjo është situata në të cilën ndodhemi”, tha Kurti para mediave./Ekonomia Online

Komento: