
Prokuroria Themelore në Pejë ka bashkuar institucionet për trajtimin efikas të rasteve të dhunës në familje.
Në takimin e përbashkët me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, të cilin e udhëhoqi Kryeprokurorja Lumturije Vucetaj, së bashku me koordinatoren për rastet e veprave penale të “Dhunës në familje”, zëvendës-kryeprokuroren Arlinda Nallbani Gacaferri, u diskutua për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, identifikimin dhe evitimin e mangësive ekzistuese, si dhe për forcimin e hallkave të bashkëpunimit institucional me qëllim rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit në trajtimin e këtyre rasteve.
Po ashtu, u shqyrtuan propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për rastet e dhunës në familje, në përputhje me ndryshimet e fundit në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante, mbetet e përkushtuar në rritjen e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërinstitucional për parandalimin e rasteve të dhunës në familje, ofrimin e mbrojtjes dhe kujdesit për viktimat, si dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtrojnë dhunë”.