“O drejtësi o s’ka qetësi”, punëtorët e sektorit privat protestojnë në Ditën e Punëtorëve

12:20 | 01 Maj 2026
“o-drejtesi-o-s’ka-qetesi”,-punetoret-e-sektorit-privat-protestojne-ne-diten-e-punetoreve

Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve ka mbajtur protestë në Prishtinë.

Protesta ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të përfunduar pranë objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Nga aty u tha se te drejtat e punëtorëve të sektorit privat po shkelen çdo ditë, derisa u kërkua edhe drejtësi për këta punëtorë.

Kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se brenda godinave duke iu referuar Qeverisë e Parlamentit janë njerëz të cilët nuk po e kryejnë amanetin e Adem Jasharit e Zahir Pajazitit ashtu si duhet.

“Ata njerëz që i kemi brenda këtyre godinave i nderuari Adem dhe Zahir nuk po ua kryejnë amanetin e juaj ashtu si duhet. I nderuari Adem Jashari, i nderuari Zahir Pajaziti ne po skllavërohemi nga njerëzit tonë. Ne sot po marrim pagë 239 euro. I nderuari Adem Jashari dhe Zahir kisha pasur dëshirë ja një javë ditë të iu zgjojmë dhe t’i shihni këta njerëz që vërtetë gjakun tonë po na e marrin me pambuk dalë e ngadalë”, ka deklaruar Azemi.

Sipas tij, punëtorëve të sektorit privat po u bëhet e padrejtë sa i përket pagës së 13-të. Ai, ka shtuar se sa herë ka zgjedhje në vend lëviz diçka.

“Sektori publik mori pagën e 13-të u gëzuam shumë sepse menduam që edhe ne do t’i marrim. Është një padrejtësi të cilën vetëm punëtorët e sektorit privat të Kosovës mund ta mbajnë mbi barrën e vet përderisa kryeministri jonë, kryeparlamentari dhe gjithë të tjerët brenda një muaje me buxhetin e tyre u rrit për gjashtë mijë euro e neve të nderuar edhe sot po marrim 239 euro”, ka thënë ai.

Kurse, Raba Dushi, foli në emër të punëtorëve të sektorit privat duke thënë se janë lodhur, pasi që siç thotë ajo secili punëtor së paku njëherë është përballur me padrejtësi.

Dushi, ka kërkuar nga Qeveria që mos t’iu humbë shpresën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

“Kjo ditë nuk është vetëm festë, kjo ditë është për të gjithë ata që u janë shkelur të drejtat e tyre si punëtorë dhe për të gjithë ata që shkelin çdo ditë mbi punëtorin. Ne punëtorët e sektorit privat jemi lodhur secili të paktën njëherë është përballur me ndonjë padrejtësi, secili nga ne këtu e dimë se të drejtat që na takojnë nuk po zbatohen. Pagat tona janë të ulëta. Punëtorët që punojnë në ambiente të rrezikshme nuk kanë kurrfarë sigurie. Çdo ditë dëgjojmë raste të vdekjeve askush nga institucionet nuk po vepron, por s ne nuk duhet të ndalemi. Fjala jonë ka peshë. Ju e dini se me pagat që kemi mezi ia dalim nga muaji në muaj, shpenzimet po rriten çdo ditë….Mjaftë pritëm, reagoni, kritikoni, lajmërojeni çdo padrejtësi”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Afërdita Hoxha, shtoi se janë lodhur duke u nënvlerësuar.

“Jemi lodhu duke u nënvlerësuar, jemi lodhur duke mos u dëgjuar. Zëri ynë është zëri i mijëra punëtorëve që çdo ditë e mbajnë këtë vend në këmbë por që nuk trajtohemi siç e meritojmë. Ne nuk kërkojmë lluks, ne kërkojmë drejtësi. Unë sot nuk flas në emrin tim, por në emrin e çdo nëne që punon e nuk i del paga deri ën fund të muajit, në emrin e çdo të riu që mendon të largohet nga vendi sepse nuk sheh të ardhme këtu. I bëjmë thirrje institucioneve, na dëgjoni, na respektoni, punoni për qytetar e jo kundër tyre”, ka thënë ajo./ekonomia online

Komento: