Gjermania thotë se tërheqja e trupave amerikane ishte e parashikueshme

11:01 | 03 Maj 2026

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka deklaruar se vendimi i SHBA-së për të tërhequr 5,000 trupa nga vendi i tij ishte “i parashikueshëm”, ndërsa aleanca ushtarake NATO ka bërë të ditur se po kërkon sqarime nga Uashingtoni.

Duke folur për agjencinë DPA, Pistorius theksoi gjithashtu se “prania e ushtarëve amerikanë në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interesin e SHBA-së”.

Ndërkohë, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se aleanca po “punon me SHBA-në për të kuptuar detajet e vendimit të tyre”.

I pyetur të shtunën në mbrëmje për tërheqjen e trupave, presidenti amerikan Donald Trump u shpreh: “Do t’i reduktojmë ndjeshëm, dhe do të shkurtojmë shumë më tepër se 5,000”, pa dhënë detaje të tjera.

Lëvizja e Uashingtonit vjen pasi Trump kritikoi kancelarin gjerman Friedrich Merz për deklaratën se SHBA ishte “poshtëruar” nga negociatorët iranianë në luftën në vazhdim.

Aktualisht, prania ushtarake amerikane në Gjermani – me mbi 36,000 trupa aktive – është më e madhja në Evropë, krahasuar me rreth 12,000 në Itali dhe 10,000 në Mbretërinë e Bashkuar.

Komento: