Autori i aksidentit tragjik në Durrës dëshmon para policisë: Më vrisni, nuk meritoj të jetoj

21:50 | 03 Maj 2026
autori-i-aksidentit-tragjik-ne-durres-deshmon-para-policise:-me-vrisni,-nuk-meritoj-te-jetoj

“Më vrisni, nuk meritoj të jetoj”, kështu mësohet të ketë nisur dëshminë para policisë 57-vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik mesditën e kësaj të diele në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike në Spitalin e Traumës.

Sipas korrespondentes në Durrës Klodiana Haxhiaj, Nikollë Rradaçi është marrë në pyetje dy herë nga grupi hetimor, pasi fillimisht ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit.

Ai dyshohet të ketë deklaruar se ishte i dehur në momentin e aksidentit dhe se nuk mban mend asgjë nga ngjarja, ndërsa ka shprehur tronditjen për pasojat e rënda.

Sipas burimeve, 57-vjeçari ishte bërë shqetësim i vazhdueshëm për banorët e zonës, të cilët kishin bërë disa herë ankesa në polici për drejtimin e automjetit me shpejtësi të lartë dhe në gjendje të dehur.

Madje, vetëm një ditë më parë, një banor kishte shmangur për pak një aksident bashkë me nipin e tij të mitur. Mësohet se ai ishte ndëshkuar edhe më herët nga policia, ndërsa në dy raste i ishte hequr leja e drejtimit për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.

Ngjarja tragjike, sipas dëshmive të banorëve, shihet si një aksident i paralajmëruar.

Komento: