Kurti takohet me Kallas: Dakordimi i 14 marsit, momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara

19:14 | 04 Maj 2026

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka takuar Kryediplomaten e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), me të cilën ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, dialogun dhe rrugën evropiane të Kosovës.

Sipas ZKM’së, Kurti ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke theksuar nevojën për “trajtim të drejtë e të bazuar në meritë”.

Sa i përket dialogut, ata kanë folur edhe për dakordimin e datës 14 mars, i cili është vlerësuar si “një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara”, shkruan Reporteri.net.

“Po ashtu, u bisedua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, i cili u vlerësua si një momentum i ri dhe pozitiv për rrugën përpara. Gjatë takimit u diskutua edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ku Kryeministri në detyrë Kurti ngriti shqetësimet lidhur me pasivizimin e adresave dhe pamundësimin e mbështetjes financiare për Luginën nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më 14 mars, Qeveria e Kosovës u pajtua t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe t’ua njohë letërnjoftimet pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës.

Gjatë takimit është diskutuar situata politike në rajon si dhe çështjet e sigurisë.

“Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me Bashkimin Evropian në adresimin e këtyre sfidave dhe në avancimin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive dhe shërbeu për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve mbi temat me interes të përbashkët, duke riafirmuar rëndësinë e vazhdimit të komunikimit të afërt dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, përfundon njoftimi.

Komento: