Përplasje SHBA-Iran në Hormuz, shpërthim i madh në Portin e Emirateve të Bashkuara Arabe

19:17 | 04 Maj 2026

Përshkallëzohen tensionet në Ngushticën e Hormuzit, e kthyer në fushëbetejën e konfliktit mes SHBA dhe Iranit.

Ushtria amerikane tha se dy luftanije me raketa kishin hyrë në gji duke thyer bllokadën iraniane dhe se dy anije tregtare kishin kaluar përmes ngushticës, shkruan A2CNN.

Sipas Komandës qendrore amerikane, forcat po mbështesin “projektin liria” të presidentit Trump, përmes së cilit synon të shoqërojë anijet tregtare të bllokuara në gji që prej nisjes së luftës.

Pala amerikane hedh poshtë pretendimin e Iranit se kishte kthyer mbrapsht një luftëanije të shba në Ngushtice dhe se dy raketa iraniane kishin goditur anijen pranë portit të Jask.

Një zyrtar i lartë i Teheranit tha për agjencinë e lajmeve Reuters se kishin qëlluar të shtëna paralajmëruese dhe se ishte e paqartë nëse anija ishte dëmtuar. Irani i quan gënjeshtra deklaratat e SHBA për kalimin e anijeve në Hormuz, me Gardën revolucionare që paralajmëron se çdo lëvizje kundër udhëzimeve të tyre do të përballet me rreziqe serioze.

Teksa rreziku i një përballje direkte mes SHBA dhe Iranit në ngushticë po rritet, pasojat i ndjejnë të parat vendet e Gjirit.

Një zjarr i madh shpërtheu në Fujairah, një port i rëndësishëm i naftës në emirate e bashkuara arabe, pas goditjes me një dron iranian, siç bënë me dije zyrtarët. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Zyra e Medias e Qeverisë së Fujairah thotë se ekipet e mbrojtjes civile po punojnë për të vënë nën kontroll zjarrin.

Raporti për sulmin erdhi në një kohë kur Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se kishte interceptuar tre raketa të lëshuara nga Irani. Ndërkohë një sulm i dyshuar duket se ka goditur edhe një anije mallrash nga Koreja e Jugut e ankoruar në ngushticë.

Komento: