Dy anëtarët që s’e deshtën bashkimin e LDK’së me Osmanin nuk u panë sot në mbledhjen e Abdixhikut

21:19 | 05 Maj 2026

As Hykmete Bajrami e as Avdullah Hoti nuk u panë në mesin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku u diskutua rreth bashkimit me Vjosa Osmanin.

Në bazë të fotografive të publikuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga të gjithë anëtarët e Kryesisë, në foto nuk shihen Bajrami dhe Hoti, shkruan Insajderi.

Hykmete Bajrami në një prononcim të fundit në debatin televiziv ‘Pressing’ në T7 ishte deklaruar rreth qëndrimeve të saja për bashkimin e LDK’së me Vjosa Osmanin.

Ajo kishte thënë se rikthimi potencial i saj nuk do të duhej të ishte aq i lehtë. Sipas saj, më 2021-ën Osmani ia shkaktoi një humbje të thellë LDK’së dhe ia shtoi në mënyrë eksponenciale votat LVV’së.

“Unë nuk jam njëra prej atyre që kthimin e znj. Osmani e shoh krejt të natyrshëm dhe shumë të lehtë, për shkak të krejt gjanave që i shpjegum deri më tani. Më lejoni t’ju them që zonja Osmani nuk ka qenë në studime gjashtë shtetit që gjashtë vite, që me u kthy qaq lehtë, ka qenë në studime po kthehet dhe po e gjen pozitën ku ka qenë”, kishte deklaruar Bajrami.

“Në vitin 2021 zonja Osmani ka dalë prej LDK-së, ia ka shkaktu një humbje të thellë LDK-së, e ka rritur eksponencialisht z. Kurti prej një rezultati 25 për qind në rezultat 50 për qind. Në atë kohë, elektorati jonë, besimtarët tanë, janë hidhëru shumë me zonjën Osmani. Atyre hidhërimi s’ju ka kalu edhe sot. Unë besoj që z. Abdixhiku edhe strukturat vendimmarrëse të LDK-së duhet me e bë një analizë. Me e pa se si do të jetë pritja e znj. Osmani. Të pyesin, të bëjnë matje, të dalin në terren dhe të shohin se çfarë net-efekti ka me pas sjellja e saj në LDK. Edhe pse po e them se jemi tu folë hipotetikisht”, kishte thënë më tej.

Ndërkaq Hoti në vazhdimësi kishte pasur përplasje në distancë me ish-presidenten Osmani. Ky i fundit ka bërë një postim para disa minutash.

“LDK mbi të gjitha!”, ka shkruar Hoti.

Komento: