
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, nëpërmjet së cilës ua ka përcjellë edhe raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe ka paraqitur shqetësimet e tij, të bazuara në gjetjet e këtij raporti.
Kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së.
Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë.
“Raporti u është dërguar edhe Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës dhe Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim./Gazeta10