
Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet Q.S., i dyshuar për veprën penale të vrasjes, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të 5 majit në Gjakovë.
Sipas komunikatës së gjykatës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 në rrugën “Mbretëresha Teuta”, ku pas një mosmarrëveshjeje të çastit brenda një automjeti të tipit Skoda, konflikti verbal mes të pandehurit Q.S. dhe tani të ndjerit R.B. ka eskaluar në përleshje fizike.
Prokuroria ka bërë të ditur se pas daljes nga automjeti, i dyshuari dyshohet se ka nxjerrë një brisk dhe e ka goditur viktimën në anën e majtë të gjoksit, në afërsi të zemrës. Viktima është dërguar fillimisht në ambulancën e qytetit dhe më pas drejt Spitalit Rajonal, por ka ndërruar jetë gjatë rrugës, rreth orës 03:10, kur edhe është konstatuar vdekja nga mjeku kujdestar.