Ky është i arrestuari i dytë për rrahjen që përfundoi me vrasje në Gjakovë

11:35 | 07 Maj 2026
nje-muaj-paraburgim-te-dyshuarit-per-vrasjen-ne-gjakove,-gjykata:-fjalosja-mes-te-pandehurit-dhe-viktimes-nisi-ne-veture…

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të 5 majit në Gjakovë, ku Rexhë Brahimaj humbi jetën pasi u godit me thikë në gjoks, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Burimet konfirmojnë se Policia tashmë ka identifikuar dhe arrestuar edhe personin e dytë të dyshuar të përfshirë në rast.

Bëhet fjalë për Granit Ibrahimin, i cili dyshohet për veprën “Pjesëmarrje në rrahje”.

Sipas informatave, ai është paraqitur më 6 maj në stacionin policor në shoqërinë e avokatit të tij, ku më pas është intervistuar nga hetuesit rajonalë në Gjakovë.

Me urdhër të Prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkohë, i dyshuari kryesor për vrasjen, Qazim Sadrija, vazhdon të jetë në arrati dhe po kërkohet nga Policia.

Siç raportoi Sinjali, ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti verbal që kishte eskaluar në përleshje fizike në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.

Sipas dëshmitarëve, gjatë konfliktit i dyshuari kryesor kishte nxjerrë thikën dhe e kishte goditur viktimën në pjesën e gjoksit.

Rexhë Brahimaj ishte dërguar fillimisht në QKMF dhe më pas në Spitalin Rajonal “Isa Grezda”, por kishte ndërruar jetë rreth orës 03:00 si pasojë e plagëve të marra.

Rasti po hetohet nga Krimet e Rënda.

Komento: