Kujtim Shala: Agim Veliu duhet të jetë në listën e LDK-së

22:45 | 07 Maj 2026

Kujtim Shala ka deklaruar se Agim Veliu duhet të jetë pjesë e listës së Lidhja Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit.

I ftuar në T7, Shala u pyet se pse në listën e LDK-së mund të jetë Vjosa Osmani, por jo Agim Veliu.

“Bën Agim Veliu absolutisht”, u përgjigj ai.

Shala tha se ka folur vazhdimisht për këtë çështje dhe se është përpjekur që ajo të zgjidhet, por pa sukses.

“Do të duhej të ishte edhe në procese të tjera, unë kam folur shumë për atë gjë. Jam përpjekur shumë. Nuk kam arritur ta zgjidh atë çështje dhe nuk e kuptoj pse, sepse nuk e kuptoj problemin”, deklaroi Shala.

Ai ritheksoi se mendon që Agim Veliu duhet të jetë pjesë e listës së LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Po ashtu Shala ka bërë të ditura detajet nga marrëveshja që pritet të zyrtarizohet mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së.

Shala tha se Vjosa Osmani do jetë bartëse e listës dhe kandidate për presidente, ndërsa Lumir Abdixhiku kandidat për kryeministër.

“Me këtë bashkëpunim, do të kthehet Vjosa Osmani, një numër i kolegëve që janë larguar dhe do të vijnë të tjerë të rinjë. Kjo është marrëveshja që duhet të miratohet të shtunën”, tha Shala.

“Sipas marrëveshjes Vjosa Osmani do jetë bartëse e listës dhe kandidate për presidente, dhe kjo duhet të miratohet. Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër dhe numër 2 në listë”, kjo është marrëveshja që e ka paraqitë kryetari i LDK-së, tha Shala.

Komento: