Reagon Valverde, mohon se është goditur me grusht nga Tchouameni

00:35 | 08 Maj 2026

Futbollisti i Real Madridit, Federico Valverde ka reaguar pas incidentit që kishte me bashkëlojtarin Aurilien Tchouameni.

Gjatë ditës, mediat spanjolle kanë raportuar se Tchouameni e ka goditur me grusht Valverden, raportime të cilat i mohon mesfushori uruguaian, shkruan IndeksOnline.

Ai përmes një reagimi në rrjetet sociale ka thënë se gjatë debatit që kishte me francezin, është përplasur aksidentaisht në një tavolinë ku ka marr një prerje në ballë.

“Dje pata një incident me një bashkëlojtar gjatë një aksioni në stërvitje, ku lodhja nga gara dhe frustrimi bëjnë që gjithçka të zmadhohet.

Në një zhveshtore normale, këto gjëra mund të ndodhin dhe zgjidhen mes nesh pa dalë në publik. Por duket se ka njerëz që nxitojnë ta përhapin historinë, dhe kur bëhet fjalë për Madridin, gjithçka merr përmasa më të mëdha.

Sot patëm sërish një mosmarrëveshje. Gjatë debatit, u përplasa aksidentalisht me një tavolinë dhe mora një prerje të vogël në ballë, gjë që kërkoi një vizitë rutinë në spital.

Në asnjë moment bashkëlojtari im nuk më goditi dhe as unë atë. E kuptoj që për disa është më e lehtë të besohet se jemi rrahur, por kjo nuk ka ndodhur.

Më vjen keq që zemërimi dhe frustrimi nga situata, si dhe fakti që disa prej nesh po arrijnë limitet fizike në fund të sezonit, më çuan deri në pikën e debatit me një bashkëlojtar.

Më vjen shumë keq. Me gjithë zemër, sepse më dhemb situata dhe momenti që po kalojmë. Madridi është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time dhe nuk mund të qëndroj indiferent.

Nuk doja të flisja deri në fund të sezonit. Jemi eliminuar nga Champions League dhe e kam mbajtur brenda gjithë mllefin dhe zhgënjimin. Kemi humbur një tjetër vit dhe nuk ishte momenti për postime në rrjete sociale kur e vetmja përgjigje duhej të jepej në fushë.

Jam i pikëlluar për këtë situatë, e cila më pengon të luaj ndeshjen e ardhshme për arsye mjekësore. Gjithmonë kam dhënë gjithçka deri në fund dhe më dhemb që nuk mund ta bëj tani. Jam në dispozicion të klubit dhe bashkëlojtarëve të mi për çdo vendim që e shohin të nevojshëm.”, thuhet në reagimin e Valverdes.

Komento: