
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve në një çështje penale që lidhet me veprat “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.
Gjykata, pas shqyrtimit të kërkesës dhe dëgjimit të palëve, ka refuzuar masën e paraburgimit dhe ka vendosur masa më të lehta sigurie ndaj të pandehurve A.I., A.Sh. dhe B.B.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pabazuar”, thuhet në vendim.
Në vend të paraburgimit, gjykata ka caktuar masën “Ndalimi për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, në kohëzgjatje prej një muaji për secilin të pandehur, nga data 07.05.2026 deri më 07.06.2026.
Sipas aktvendimit, të pandehurit obligohen të mos i afrohen në distancë prej 100 metrash vendit të punës dhe institucioneve shtetërore që lidhen me Agjencinë Kadastrale të Kosovës.
“Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”, thuhet më tej në njoftim.
Po ashtu, gjykata ka urdhëruar edhe masën e “paraqitjes në stacionin policor” për të njëjtën periudhë kohore, një muaj, duke filluar nga 07.05.2026 deri më 07.06.2026.
Gjykata ka vlerësuar se me masat e shqiptuara do të sigurohet zhvillimi i papenguar i procedurës penale.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.