
Boksieri shqiptar Granit Stein Bylykbashi po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij, duelin e 16 majit për titullin prestigjioz WBA Continental.
Me një rekord të fuqishëm dhe formë të shkëlqyer, ai shprehet i vendosur për të bërë hapin e madh drejt elitës botërore të boksit, shkruan Gazeta Projekti
Në një intervistë ekskluzive për Revista Suksesin, Bylykbashi ka rrëfyer rrugëtimin e tij nga Drenas drejt ringjeve ndërkombëtare në Gjermani, duke theksuar se fillimet nuk kanë qenë aspak të lehta.
“Kam kaluar shumë sfida dhe sakrifica, por asnjëherë nuk jam dorëzuar. Jam rritur me ëndrra të mëdha dhe me besimin se puna e fortë gjithmonë shpërblehet”, u shpreh ai.

Boksieri shqiptar thekson se përgatitjet për meçin e madh janë në nivel maksimal, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Sipas tij, një duel për titull nuk fitohet vetëm në ring, por edhe me forcën psikologjike dhe fokusin e plotë.
“Jam përgatitur për çdo situatë. Ndihem më i fortë se kurrë dhe hyj në ring vetëm për fitore”, deklaroi Bylykbashi.
Ai shtoi se titulli WBA Continental do të ishte një tjetër dëshmi e punës së tij të palodhur, por jo fundi i rrugëtimit. Synimi i tij mbetet maja e boksit botëror dhe përballjet me emrat më të mëdhenj të këtij sporti.
Në intervistë, Bylykbashi vlerësoi edhe rolin e madh të familjes dhe prejardhjes së tij në suksesin profesional, duke e cilësuar mbështetjen familjare si forcën kryesore që e ka shtyrë përpara në momentet më të vështira.

Në fund, ai dha një mesazh frymëzues për të rinjtë shqiptarë:
“Besoni në veten tuaj, punoni fort dhe mos u dorëzoni kurrë. Prejardhja juaj është forcë, jo pengesë. Me disiplinë dhe sakrificë, gjithçka është e mundur.”