
Kandidatja për presidente nga LDK, Vjosa Osmani ka vazhduar me prezantimin e ekipit të saj për zgjedhjet e 7 qershorit.
Aderimi më i ri në ekipin e Osmanit është Besim Kodra.
“Kosovës i duhen njerëz që punojnë për kauza që shkojnë përtej vetvetes. Njerëz që i bashkohen një rrugëtimi politik vetëm e vetëm për të shërbyer, ashtu siç po bën prej vitesh Besim Kodra”, ka shkruar Osmani.
Postimi i plotë:
Kosovës i duhen njerëz që punojnë për kauza që shkojnë përtej vetvetes. Njerëz që i bashkohen një rrugëtimi politik vetëm e vetëm për të shërbyer, ashtu siç po bën prej vitesh Besim Kodra.
Për më shumë se një dekadë, ai ka qenë pranë pacientëve dhe familjeve të tyre, aty ku njerëzit kanë pasur nevojë për ndihmë, dinjitet, mbështetje dhe shpresë.
Besimi zgjodhi përherë angazhimin. Ai zgjodhi të bëhet zë për ata që shpesh nuk kanë pasur përfaqësim. Për pacientët. Për familjet që luftojnë çdo ditë. Për qytetarët që kërkojnë të drejtat e tyre.
Si jurist dhe ekspert i fushës së shëndetësisë dhe të drejtave të pacientëve, ai ka kontribuar në hartimin e politikave, në forcimin e llogaridhënies dhe në mbrojtjen e interesit qytetar, duke përfaqësuar Kosovën edhe në iniciativa rajonale, evropiane e globale.
Përmes Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), Besimi ka dëshmuar se humanizmi është përkushtim i përditshëm ndaj njerëzve.
Këtë mision Besimi do ta vazhdojë në një tjetër betejë: për ta përfaqësuar kauzën e pacientëve në Kuvend.
Jam e bindur se Besimi do të jetë një zë i fuqishëm për pacientët, për qytetarët dhe për interesin publik.
Besim mirë se vjen!