Kosova luan miqësore me përfaqësuesen që do të jetë në Botëror

12:46 | 11 Maj 2026
mediumi-amerikan-espn:-kosova-fiton-kunder-turqise

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të ketë test të vërtetë më 31 maj.

Përballë të përzgjedhurve të Franco Fodas do të jenë futbollistët e Çekisë, që do të paraqiten në Kampionatin Botëror në SHBA, Kanada e Meksikë.

Federata e Futbollit e Kosovës të hënën ka konfirmuar miqësoren me Çekinë, që do të zhvillohet në “Epet Arena” në Pragë. Kosova më 7 qershor në Prishtinë luan miqësore tjetër, me Andorrën.

Por vëmendja do të jetë te testi me Çekinë, që në Botëror është në Grupin A. Çekët më 11 qershor luajnë ndaj Koresë së Jugut në Zapopan të Meksikës. Më 18 qershor përballen me Afrikën e Jugut në Atlanta, kurse më 24 qershor në Mexico City luajnë ndaj Meksikës.

Çekia do ta ketë edhe një miqësore më 4 qershor me Guatemalën. Por fillimisht çekët do të testohen nga lojtarët e përzgjedhësit Foda.

Çekia në Botëror u kualifikua përmes plejofit. Në gjysmëfinale e mposhti Irlandën, ndërsa në finale të plejofit e eliminoi Danimarkën. Të dy ndeshjet i zhvilloi në Pragë dhe i fitoi me penallti.

Çekia nuk është kundërshtare e panjohur për Kosovën. Më 7 shtator 2019 në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 2:1 ndaj çekëve, me golat e Vedat Muriqit e Mërgim Vojvodës. Më 14 nëntor 2019 në Plzen, Çekia fitoi 2:1. Golin për “Dardanët” e kishte shënuar Atdhe Nuhiu.

Dy ndeshjet i takuan kualifikimeve për Euro 2020. Çekia ishte kualifikuar si e dyta, kurse Kosova përfundoi e treta.

Kosova është në moment shumë pozitiv. Pas kampanjës shumë të mirë kualifikuese për Botërorin 2026, siguroi plejofin si e dyta në grupin e fortë me Zvicrën, Slloveninë e Suedinë. Në gjysmëfinale të plejofit e mposhti Sllovakinë në Bratislavë, por në finale pësoi nga Turqia në Prishtinë. Dhe kështu mbeti jashtë Botërorit.

Në shtator, Kosova fillon kampanjën e re në Ligën e Kombeve. Dhe ndeshjet me Çekinë dhe Andorrën pritet t’i shërbejnë Fodas për të përgatitur sa më mirë ekipin për ndeshjet e vjeshtës. Sidomos për ndeshjen me Andorrën, Foda pritet të testojë më shumë lojtarë. Për nivelin që ka arritur Kosova, Andorra llogaritet kundërshtare inferiore.

Në ranglistën e FIFA-s, Çekia është e 41-ta, Kosova e 78-ta, kurse Andorra e 173-ta.

“Dardanët” grumbullohen më 27 maj në Prishtinë.

Komento: