Pas mbrojtjes, Fraser po merret në pyetje nga Prokuroria

16:40 | 11 Maj 2026
pas-mbrojtjes,-fraser-po-merret-ne-pyetje-nga-prokuroria

Ekspertja Helen Fraser po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku pas pyetjeve të mbrojtjes po përgjigjet në pyetje të Prokurorisë.

Në këtë rast, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Sophie Menegon, edhe në vazhdim të pyetjeve paraqiti një dokument të ZPS-së nga vizitat te Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sa i përket audios së vizitës së Smakajt, dëshmitarja tha se nuk dihet përfundimisht çfarë është thënë për të caktuar saktësinë e tyre.

Sa i përket transkriptuesit të vizitave të Fadil Fazliut, bazuar në dokumentet e ZPS-së, avokatja tha se ky përkthyes ka qenë i pranishëm në 31 intervista të ZPS-së apo kontaktet me dëshmitarë dhe 7 intervista tjera me dëshmitarë, në çështjen për krime lufte.

Menegon tha se detyra e tij ishte rishikues i dokumenteve/përkthyes, gjë që duket më shumë si pozitë e analistit. Me këtë u pajtua edhe Fraser.

Në dokumentin tjetër të ZPS-së, personi i përfshirë në transkripte ishte i përfshirë në rishikimin e 13 transkripteve të Thaçit dhe tjerëve, në veçanti nga vizita e Fazliut dhe Smakajt. Tha se ky person ishte përgjegjës në pjesën më të madhe në rishikimin përfundimtar të transkripteve.

Sipas Menegon, ky person ishte me shtetësi shqiptare dhe se ka qenë i pranishëm në 64 intervista apo kontakte me dëshmitarë, dhe 17 intervista tjera, kontakte apo thirrje telefonike me dëshmitarë. Ajo tha se shqipja është gjuha e tij amtare dhe ka një diplomë përkthimi.

Lidhur me ndikimin që ky person mund të ketë pasur, ekspertja tha se ka ndërveprim mes informacionit dhe punës me transkripte, duke shtuar se kjo nuk është përvojë e mirë.

Këto dokumente u pranuan në prova.

Helen Fraser ritheksoi se nuk mund të mbështetesh në ato transkripte të ZPS-së si të sakta.

Sa i përket transkripteve të rishikuara nga ZPS, Fraser tha se nga përvoja e saj, ky është proces i vazhdueshëm rishikimi e redaktimi, ngase konteksti bëhet më i qartë. Tha se nuk e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë trupi gjykues lidhur me këto versione, por sipas saj, duhet të ketë vetëm një version përfundimtar.

Avokatja e Thaçit paraqiti dy versione të transkripteve të ZPS-së lidhur me vizitën e njëjtë të Smakajt, ku krahasoi ndryshimet në dy versionet.

Ekspertja tha se është e pamundur të vendoset cili prej këtyre versioneve është i saktë.

Sipas dëshmitares, në rastin kur është vendosur pikëpyetje para fjalës “sinqerisht”, transkriptuesi mund të mos ketë qenë i sigurt për saktësinë e fjalës së përdorur.

Më pas, u paraqit një dokument nga transkripta e vizitës së Kilajt, ku u tha se kishte tri versione të transkriptit të kësaj audio.

Kur përgatitet një transkriptë (nga audiot forenzike të padëshifrueshme), për të vlerësuar besueshmërinë e saj duke e rishikuar, dëshmitarja deklaroi se si proces ka kuptim.

Sipas saj, në këtë rast, e vetmja mënyrë për ta vlerësuar besueshmërinë është të krijohet një transkriptë e re.

Kurse, lidhur me një transkriptë të Kuçit, të nxjerrë po ashtu nga Prokuroria, u potencua se ishin bërë disa ndryshime nga Njësia e përkthimit në përkthim/transkriptim të ZPS-së në disa fjali- të cilat ishin theksuar me ngjyrë të errët.

Dëshmitarja u pajtua se Njësia e përkthimit në këtë rast ka bërë pak korrigjim.

Sipas Fraser, tha se në këtë rast po shohim ekspozim tekstual, duke shtuar se ideale do ishte të kishte transkriptues të mirëfilltë.

Ajo tha se nuk është e sigurt së pari se cili version i ZPS-së është përdorur ngase nuk ka datë të vendosur, ndërkaq përmendi se është befasuese që këto pasiguri kanë kaluar edhe nga Njësia e përkthimit.

“Kjo është krejt gabim”, tha Fraser.

Ajo shtoi se mungesa e ndërgjegjësimit për të gjitha problematikat e evidentuara, është e diskutueshme.

Dëshmitarja tha se sipas saj do duhej të jenë dy zbardhës/transkriptues të audios, të cilët do ta bënin transkriptimin pa ndikim e më pas të bëhej një transkriptim tjetër.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Fazliut, dëshmitarja tha se transkriptuesi duhej të ishte i trajnuar, të kishte përvojë në transkriptim të padëshifrueshëm dhe të mos kishte informacion për hetimin.

Fraser tha se transkriptimi duhet të bëhet nga dëgjimi në audio dhe jo të mbështetet në një transkriptim tjetër, ngase në të kundërtën do të ishte shqetësuese.

Për atë se përse është e rëndësishme të dihet transkriptuesi, dëshmitarja tha se është e nevojshme të ketë transparencë të plotë për procesin.

Më tej, ajo tha se duhet të jenë të sigurt që transkriptuesit/përkthyesit të mos kenë interes në procesin që angazhohen, pra e rëndësishme është pavarësia.

Pas mbrojtjes, me pyetje vazhdoi prokurori Joshua Hafetz, i cili u fokusua fillimisht tek incizimet e fshehura, duke thënë se në një artikull, ekspertja theksoi se këto incizime japin prova të rëndësishme forenzike.

Helen Fraser pohoi se kishte pranuar një vendim të gjykatës për sqarimet e kërkuara nga mbrojtja- kërkesë për rishqyrtim.

Ajo tha se nuk është ideale të jepen transkripte të pasakta dhe mbi bazën e tyre të bëhen rishikime.

Komento: