
Gazetari dhe drejtuesi i televizionit të gazetarëve, Kanal10, Arben Ahmeti, ka paralajmëruar një intervistë ekskluzive me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, e cila pritet të transmetohet së shpejti.
Përmes një postimi publik, Ahmeti bëri të ditur se përgjigjet e Thaçit i ka pranuar me zarf disa ditë më parë, ndërsa intervista ishte kërkuar para gjashtë muajsh.
Nënshkrimi i Thaçit mban datën 2 shkurt 2026 dhe intervista do të transmetohet e plotë, pa ndërhyrje.
Ahmeti tha se kjo është intervista e pestë e Thaçit prej kohës kur ai mbahet në paraburgim në Hagë dhe shtoi se, “me gjasë, do të jetë e fundit”.
Në paralajmërim bëhet e ditur se në intervistë Thaçi flet për procesin gjyqësor në Hagë, zhvillimet politike në Kosovë, raportet me Perëndimin, si dhe tema të tjera politike e personale.
“Me këtë ndjenjë, po e bëj paralajmërimin e intervistës, sic i bënim dikur:
Këtë të enjte, në ora 22:15, në emisionin Adresa në Kanal10, intervistë ekskluzive me Hashim Thaçin”, ka shkruar mes tjerash Ahmeti.
Postimi i plotë:
Para disa ditësh kam pranuar në zarf përgjigjet e ish-presidentit Hashim Thaçi në një intervistë që e kam kërkuar para gjashtë muajsh.
Nënshkrimi i Thaçit mban datën 2 shkurt 2026 dhe, meqë edhe pyetjet ishin gjenerale, intervista do të transmetohet e plotë, pa asnjë ndërhyrje.
Kjo është intervista e pestë e Thaçit prej kur mbahet në paraburgim.
Me gjasë, do të jetë e fundit. Në të ka aq shumë qëndrime, sa teksa e lexoja, më dukej sikur po rikthehesha te intervistat e gjata me të për gazetën Koha Ditore, dikur në Prishtinë.
Me këtë ndjenjë, po e bëj paralajmërimin e intervistës, sic i bënim dikur:
Këtë të enjte, në ora 22:15, në emisionin Adresa në Kanal10, intervistë ekskluzive me Hashim Thaçin.
Mësoni se çfarë e ka bindur Thaçin se është tërësisht i pafajshëm?!
Me cilin personazh të romaneve të filozofisë absurde i duket vetja dhe procesi në Hagë?
Çfarë komentesh ka ai për mënyrën se si është qeverisur Kosova këto vite?
Mësoni se pse është i shqetësuar me atë që ai e quan “humbje e busullës perëndimore” të Kosovës ?!
Kush nuk mund ta ndalë më kurrë, sipas tij, valëvitjen e flamurit kuqezi të Skënderbeut, që dikush e quante “flamur me sorrë”, apo atij tr Thaçit që dikush e quante “lara-lara”?
Cilët janë zyrtarët e lartë evropianë që, sipas Thaçit, e citonin raportin e Dick Marty si “libër të shenjtë”, ndërsa tani, sipas tij, nga dosjet Epstein shihet se kishin lidhje me Rusinë?
Këto janë vetëm disa nga temat dhe qëndrimet në një intervistë plot mesazhe nga Hashim Thaçi.