
Autoritetet shëndetësore në Itali dhe Holandë kanë intensifikuar masat e monitorimit dhe karantinës pas rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara me Hantavirus tek pasagjerët e anijes turistike “Hondius”, duke rritur shqetësimet për përhapjen e virusit në Evropë.
Instituti Kombëtar për Sëmundjet Infektive “Lazzaro Spallanzani” në Romë bëri të ditur se, për momentin, nuk është planifikuar transferimi i pacientit 25-vjeçar nga Kalabria, por vetëm mbërritja e mostrave të tij biologjike për analiza të mëtejshme laboratorike.
Sqarimi erdhi pas raportimeve në mediat italiane për një rast të dyshuar me Hantavirus, ndërsa i riu ndodhet aktualisht në karantinë dhe nën mbikëqyrje mjekësore.
Në të njëjtën kohë, një marins nga Torre del Greco, i vendosur në izolim parandalues me vendim të autoriteteve lokale shëndetësore, rezulton pa simptoma të lidhura me virusin dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
Drejtori i departamentit të parandalimit në Napoli 3 Sud, Carmine Carbone, deklaroi se 25-vjeçari po monitorohet çdo ditë dhe i nënshtrohet kontrolleve të vazhdueshme për të vlerësuar gjendjen e tij.
Ndërkohë, një pacient nga rajoni italian i Venetos ka rezultuar negativ në testin për Hantavirus. Drejtoresha e parandalimit në Ministrinë italiane të Shëndetësisë, Mara Campitiello, tha se megjithëse testi aktual është negativ, situata mbetet nën vëzhgim.
Sipas saj, të dhënat shkencore tregojnë se Hantavirusi ka një nivel shumë të ulët transmetimi nga njeriu te njeriu dhe përhapja ndodh kryesisht në prani të simptomave dhe pas kontakteve të afërta e të zgjatura.
Ekspertët sqarojnë se virusi transmetohet zakonisht përmes kontaktit me urinën, pështymën ose sekrecionet e brejtësve, ndërsa rastet e transmetimit ndërnjerëzor mbeten të rralla.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu edhe tre raste të tjera pozitive mes pasagjerëve të anijes “Hondius”: një shtetase franceze, një amerikan dhe një spanjoll.
Në Holandë, 12 punonjës të një spitali janë futur në karantinë pasi dyshohet se janë ekspozuar ndaj virusit për shkak të gabimeve procedurale gjatë trajtimit të mostrave biologjike të një pacienti pozitiv.
Anija “Hondius”, e konsideruar tashmë një vatër e mundshme infeksioni, është larguar nga Tenerife dhe pritet të mbërrijë në Roterdam të dielën në mbrëmje. Në bord ndodhen ende 25 anëtarë ekuipazhi, dy pjesëtarë të stafit mjekësor dhe trupi i një pasagjeri gjerman që humbi jetën gjatë kroçerës.