
Shqiptari në Zvicër tentoi t’i shiste detergjent policit të infiltruar si kokainë, dënohet për mashtrim
Një 28-vjeçar shqiptar është dënuar nga autoritetet zvicerane pasi tentoi të mashtronte një hetues të infiltruar të policisë, duke i shitur detergjent rrobash në vend të kokainës.
Ngjarja ndodhi në stacionin qendror të trenit në Zürich dhe përfundoi me arrestimin e të riut vetëm pak minuta pas dorëzimit të “mallit”.
Sipas mediave zvicerane dhe urdhrit penal të Prokurorisë Zürich-Limmat, kontakti mes të dyve ishte vendosur përmes një profili në Facebook me emrin “Hello Halil”. Pas komunikimeve online, palët kishin rënë dakord për shitjen e 50 gramëve kokainë kundrejt shumës prej 2400 frangash zvicerane.
Takimi u zhvillua më 2 janar, rreth orës 20:25, pranë një binari në stacionin kryesor të trenit në Zürich. I dyshuari i dorëzoi hetuesit një çorape ngjyrë hiri, brenda së cilës ndodhej një qese plastike e mbyllur hermetikisht, duke pretenduar se përmbante lëndën narkotike të porositur.
Megjithatë, kur agjenti kërkoi që paketa të hapej për të verifikuar përmbajtjen, 28-vjeçari refuzoi. Pas arrestimit dhe kontrollit të substancës nga autoritetet, rezultoi se në qese nuk kishte kokainë, por detergjent rrobash.
Sipas gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung, prokuroria nuk e akuzoi të riun për trafik narkotikësh, por për tentativë mashtrimi. Arsyetimi ligjor bazohet në faktin se ai kishte tentuar të përfitonte para në mënyrë të paligjshme duke shfrytëzuar besimin e blerësit dhe duke ofruar një produkt të rremë që nuk mund të kontrollohej menjëherë.
28-vjeçari, i cili nuk kishte vendbanim të përhershëm në Zvicër, u mbajt në paraburgim për dy ditë.
Në fund, ai u dënua me një gjobë prej 1200 frangash zvicerane, si dhe me 800 franga shtesë për shpenzimet gjyqësore.