
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një bashkëbisedim me mësimdhënëse dhe mësimdhënës në lagjen Dardania, ku në fokus ishte gjendja në arsim dhe sfidat me të cilat përballen punonjësit e sektorit të edukimit.
Abdixhiku tha se mësuesit bartin një nga përgjegjësitë më të mëdha të shoqërisë, duke edukuar dhe formësuar brezat e rinj çdo ditë, larg vëmendjes publike dhe pa bujë.
“Folëm për shkollën, për sfidat e arsimit, për lodhjen e përditshme, por edhe për dashurinë që ata kanë për profesionin e tyre. Sepse mësuesi nuk ndërton vetëm dije. Ndërton karakter, kulturë, qytetari dhe të ardhmen e një vendi”, ka deklaruar ai.
Në këtë takim është diskutuar edhe për reformën në arsim të prezantuar nga Jehona, të cilën Abdixhiku e cilësoi si model nacional për arsimin në Kosovë.
Ai theksoi se Kosova ka nevojë që arsimin ta trajtojë si prioritet të vërtetë kombëtar, duke kërkuar më shumë mbështetje për mësimdhënësit, kushte më të mira në shkolla dhe dinjitet më të madh për profesionin e mësuesit.
“Shteti që respekton mësuesin, ndërton të ardhmen”, është shprehur Abdixhiku.