
Një defekt i rëndë teknik në minierën e Trepçës ka lënë të ngujuar disa minatorë në thellësi të zgafellës për më shumë se 16 orë.
Anëtari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani në një prononcim për Telegrafin ka thënë se gjithçka ka ndodhur rreth orës 01:00 të natës, kur është prishur një trafo kryesore, duke shkaktuar ndërprerje të funksionimit normal në minierë.
Osmani ka bërë të ditur se në momentin e prishjes së trafos, në ndërrimin e tretë ndodheshin rreth 45 minatorë.
Siç tha ai një pjesë e tyre kanë arritur të dalin nga zgafella në këmbë, përmes rrugëve të vështira dhe alternative.
“Disa minatorë që kanë qenë më të rinj dhe më të shëndetshëm kanë dalë në këmbë. Aktualisht, brenda në zgafellë në horizontin e 10 dhe 11-të kanë mbetur 18 minatorë, të cilët janë pak më të moshuar dhe nuk kanë mundur të dalin nga rrugët e vështira që kanë përdorur të tjerët”, ka deklaruar Osmani.
Sipas tij, gjendja e minatorëve të mbetur nën tokë nuk është e mirë, ndërsa ekipet teknike po punojnë intensivisht për sanimin e defektit dhe rikthimin e energjisë, në mënyrë që të mundësohet nxjerrja e tyre sa më shpejt.
“16 orë janë poshtë dhe gjendja e tyre nuk është bash e mirë. Mjeshtrit janë duke punuar, por nuk e di kur do të kryhen punimet”, është shprehur Osmani. /Telegrafi