Çfarë ndodhi mbrëmë në Skenderaj

08:22 | 15 Maj 2026

Ditën e djeshme në qytetin e Skenderaj ndodhi një përplasje midis kreut të Komunës, Sami Lushtaku dhe kreut të VV-së në këtë komunë, Hysni Mehani.

Lidhur me këtë rast u arrestuan dy persona.

Mirëpo natën vonë pas mesnate në këtë qytet zbarkuan Njesia Speciale e Policisë së Kosovës.

Kjo nuk u mirëprit nga ana e qytetarëve të cilët dolën në rrugët e këtij qyteti për të kundërshtuar këtë veprim të Policisë së Kosovës.

Në mesin e tyre ishte edhe ish-deputetja Ganimete Musliu, e cila ka kërkuar sqarim se pse ka kaq shumë policë.

Në përgjigjen e policisë u tha se është vetëm një plan operativ për shkak se vera po vjen dhe ka më shumë qarkullim të automjeteve.

“Një pjesë e Njësisë Speciale e kanë vetëm plan operativ për shkak se është vera duke u afruar dhe ka më shumë qarkullim të automjeteve, nuk është asgjë për t’u shqetësuar”, thuhej në përgjigjen e policisë.

Por, kjo përgjigje nuk është pranuar nga Musliu, duke e quajtur këtë si tallje me qytetarët e Skenderajt.

“Kjo është tallje me qytetarët e Skenderajt dhe nuk kalon kjo tallje”, tha Musliu.

Rreth orës 02:30 pas mesnate, Njësia Speciale është tërhequr nga Skenderaj.

Pas largimit të forcave policore, janë shpërndarë edhe qytetarët që po qëndronin në rrugë gjatë natës./Indeksonline

Komento: