
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën ekskluzive në “Adresa ” me Arben Ahmetin në Kanal 10, ka folur për procesin e dialogut Kosovë–Serbi, duke kritikuar konceptin e pranimit “de facto” pa njohje të plotë “de jure”.
Sipas tij, një qasje e tillë nuk ka vlerë juridike dhe nuk përfaqëson zgjidhje përfundimtare.
“Tani slogani i njohjes ‘de facto’ u zhduk. Pranimi de facto pa njohjen de jure është mashtrim publik dhe politik pa asnjë vlerë juridike”, ka deklaruar Thaçi.
Ai ka shtuar se ideja e dialogut me “njohjen në qendër”, sipas tij, është zbehur dhe ka humbur fokusin.
“Dialogu me ‘njohjen në qendër’ u zhbë. Sot nuk ekziston as në kokë, as në bel, e as në bisht”, është shprehur ai.
Megjithatë, Thaçi është shprehur optimist se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë një paqe të qëndrueshme, pavarësisht hendekut të thellë të urrejtjes mes dy shoqërive.
Ai ka theksuar se urrejtja historike nuk sjell zhvillim, por vetëm hakmarrje dhe stagnim.
“Hendeku i urrejtjes serbo–shqiptare është i thellë. Urrejtja ngjall vetëm hakmarrje; askënd nuk e ka çuar drejt mirëqenies e zhvillimit”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, procesi i dialogut duhet të shoqërohet me vendime të qarta dhe zbatim të marrëveshjeve, e jo vetëm me qasje graduale dhe teknike.
Ai ka përmendur gjithashtu se në një fazë të mundshme të demarkacionit mes Kosovës dhe Serbisë, çështja e njohjes formale do të bëhej e pashmangshme, duke hapur, siç ka thënë ai, edhe debate të reja me aktorë ndërkombëtarë si NATO dhe KFOR mbi bazat e vendosjes së tyre pas vitit 1999.
Thaçi ka paralajmëruar se çdo përshkallëzim i ri në proces mund të sjellë tensione dhe “kokëdhimbje” politike dhe diplomatike.
“Nuk jemi të parët në histori që kemi qenë në konflikt me njëri-tjetrin”, ka përfunduar ai.