Rama diskuton krijimin e një qendre për koleksione historike dhe trashëgimi kulturore në Prishtinë

17:25 | 15 Maj 2026
rama-diskuton-krijimin-e-nje-qendre-per-koleksione-historike-dhe-trashegimi-kulturore-ne-prishtine

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me Kaltrina Igrishtën dhe Lekë Shalën, ku është diskutuar për mundësitë e krijimit të një hapësire të dedikuar për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike në Kryeqytet.

Sipas Ramës, koleksioni që posedojnë Igrishta dhe Shala përfshin mbi 1,500 litografi, si dhe qindra artefakte historike, kostume tradicionale dhe materiale arkivore që dokumentojnë identitetin dhe kujtesën kolektive ndër breza.

Në fokus të diskutimit ishte edhe përfshirja e Kryeqytetit në iniciativa dhe ngjarje kulturore ndërkombëtare. Mes ideve të shqyrtuara ishte edhe potenciali që Prishtina në të ardhmen të jetë nikoqire e Bienales së Tekstilit, një platformë që lidh traditën, artin bashkëkohor dhe kulturat nga vende të ndryshme të botës.

“Trashëgimia nuk ruhet vetëm duke e arkivuar, por duke i dhënë jetë, hapësirë dhe vëmendje për ta ndarë me qytetarët dhe me botën”, ka theksuar Rama.

Komento: