Lushtaku ende nuk paraqitet në polici, PDK-ja thirrje për tubim para stacionit

17:46 | 15 Maj 2026

Sami Lushtaku ende nuk është paraqitur për intervistim në stacionin policor, pavarësisht ftesës së dërguar nga organet kompetente.

Kështu u bë e ditur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në një përgjigje për Telegrafin.

Nga Prokuroria kanë bërë të ditur se ftesa për intervistim i ishte dërguar Lushtakut një ditë më parë, mirëpo deri më tani ai nuk është paraqitur në polici.

Ndërkaq, shefi i grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Skenderajt, Alban Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të mblidhen para stacionit policor në Skënderaj për ta pritur kryetarin, Sami Lushtaku.

Berisha përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se “Mos të mendojë askush se mund të na frikësojë me skena force e demonstrim pushteti”.

“Të jemi në gatishmëri qytetare! Brenda pak minutash pritet të zhvillohet intervista, prandaj ftoj sa më shumë qytetarë të mblidhemi për ta pritur Kryetarin Gjeneral Sami Lushtaku deri në përfundim të saj. Vendtakimi: para Stacionit të Policisë. Dje qytetarët panë me sytë e tyre keqpërdorimin e Njësisë Speciale, me maska e armë të gjata, në një mënyrë që krijoi tension dhe frikë te qytetarët. Këto veprime po e rikujtojnë kohën kur policia përdorej për presion politik e jo për drejtësi. Mos të mendojë askush se mund të na frikësojë me skena force e demonstrim pushteti. Dinjiteti nuk shitet dhe nuk blihet! Fyerjet, shpifjet dhe propaganda nuk kalojnë. Qëndroni të bashkuar dhe në gatishmëri qytetare”, ka shkruar Berisha.

Komento: