Rama me akuza ndaj Kurtit: Skenderaj u shfrytëzua si skenë për manipulim politik

20:50 | 15 Maj 2026
rama-me-akuza-ndaj-kurtit:-skenderaj-u-shfrytezua-si-skene-per-manipulim-politik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për siç tha manipulim politik dhe tensionim të qëllimshëm të situatës në Skenderaj.

Ai ka thënë me anë të një postimi në Facebook se Skenderaj u shfrytëzua si “skenë për manipulimin e radhës politik” nga Kurti.

“Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik. Kur një Kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët dhe për të thelluar polarizimin shoqëror, ai nuk po qeveris ai po MANIPULON.

Ky është i njëjti kryeministër që ka REFUZUAR t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sepse ai është mbi ligjin. Ai është ligji”, shkroi Rama.

“Fakti që Drenica mbushet me forca policore tregon nevojën e tij të sëmurë për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer një logjikë hakmarrjeje politike.

Duke e ditur sakrificën dhe vuajtjen që ka përjetuar Drenica, ta provokosh këtë trevë dhe ta etiketosh Kryetarin e saj si “Serbia” është një akt i ulët. Ta vësh në rrezik paqen sociale dhe t’i shtysh qytetarët drejt përçarjes dhe konfliktit është ligësi.

Ky tensionim i qëllimshëm dhe këto tentativa për destabilizim politik dhe shoqëror janë jashtëzakonisht të RREZIKSHME për popullin dhe shtetin e Kosovës.

Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë”, shtoi Rama.

Komento: