Mbështetësit e Lushtakut kritikojnë Kurtin për përfshirje në drejtësi

21:05 | 15 Maj 2026
mbeshtetesit-e-lushtakut-kritikojne-kurtin-per-perfshirje-ne-drejtesi

Intervistimi i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, u shoqërua me përkrahje nga qytetarët, të cilët për disa orë qëndruan para stacionit policor në Skenderaj.

Ata nuk kursyen kritikat ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

Qytetari Murat Musliu foli edhe për praninë e Njësisë Speciale gjatë mbrëmjes së kaluar.

“Është e padëshirueshme për të gjithë ne, por ne kemi ardhur për ta mbrojtur komandantin. Këto skena janë të panevojshme. Nuk jemi mësuar me praninë e Njësisë Speciale këtu. Njësia Speciale është për raste të terrorizmit dhe për sigurinë e Kosovës, jo për një incident shumë të vogël në një kafeteri. Bëhet fjalë për një përleshje të vogël, me lëndime të lehta dhe shtyrje mes disa personave. E gjithë kjo situatë po na duket e pakuptimtë. Vetë ardhja e Njësisë Speciale e ka tensionuar gjendjen. Po të mos vinte ajo, zoti Lushtaku do të ishte këtu dhe as ne nuk do të kishim nevojë të mblidheshim”, tha ai.

Ndërsa Besim Isufi u shpreh shkurt se pret që Lushtaku të dalë i pafajshëm.

“Presim të dalë i pafajshëm”, tha Isufi.

Edhe qytetari Jeton Rrustemi komentoi ngjarjen, duke pretenduar se rasti po zmadhohet për arsye politike.

“Ai e ka rrahur një zyrtar të Vetëvendosjes, por nuk është bërë ndonjë gjë e madhe. Ai është njeri që gjithë jetën ia ka kushtuar këtij vendi. Një shuplakë nuk është arsye për gjithë këtë bujë. Kjo po bëhet për fushatë politike”, tha ai.

Ndërkaq, Sami Lushtaku dhe kryetari i degës së Lëvizja Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, dyshohet se janë përfshirë në një përleshje fizike.

Komento: