Vdes pas katër muajsh në QKUK viktima e plagosjes te “Villa Pisha” – rasti rëndohet edhe më shumë

15:39 | 16 Maj 2026

Ka ndërruar jetë në QKUK personi që ishte plagosur rëndë në janar të këtij viti në motelin “Villa Pisha” në Sllatinë të Fushë Kosovës, në një rast që po hetohej si “Vrasje në tentativë” dhe “Grabitje”, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Burimet bëjnë të ditur se viktima është Ajet Krasniqi, rreth 60-vjeçar, i cili kishte qenë duke u trajtuar në repartin intensiv të QKUK-së që nga dita e incidentit.

Ngjarja kishte ndodhur më 23 janar 2026 rreth orës 15:00 në Motelin “Villa Pisha” në rrugën e Pejës në Sllatinë.

Sipas informatave, pas veprimeve intensive hetimore, më 26 janar 2026 ishte identifikuar dhe arrestuar i dyshuari Shkelzim Jashari, rreth 25-vjeçar.

Sinjali mëson se ai ishte intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë.

Burimet bëjnë të ditur se gjatë hetimeve, ndaj tij ishte shtuar edhe vepra penale “Grabitje”, pasi dyshohej se kishte marrë një shumë parash nga viktima.

Zhvillimi i fundit ka ndodhur më 16 maj 2026, kur infermierët e repartit intensiv në QKUK kanë njoftuar familjarët se rreth orës 00:30, Ajet Krasniqi kishte ndërruar jetë.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, trupi i pajetë do të tërhiqet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe do t’i nënshtrohet obduksionit.

Pas vdekjes së viktimës, pritet që kualifikimi juridik i rastit të pësojë ndryshim në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Komento: