Shqetësime në Tajvan pas vizitës së Trump në Kinë – çfarë tha presidenti i SHBA e çka autoritetet në Taipei

09:15 | 17 Maj 2026
shqetesime-ne-tajvan-pas-vizites-se-trump-ne-kine-–-cfare-tha-presidenti-i-shba-e-cka-autoritetet-ne-taipei

Qeveria e Tajvanit ka reaguar me shqetësim pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili u shpreh me hezitim për furnizimin me armë të Tajvanit.

Deklaratat pas vizitës së presidentit Donald Trump në Kinë kanë ngjallur dyshime lidhur me angazhimin e SHBA për Tajvanin. Qeveria në Tajvan reagoi menjëherë. “Shitjet e armëve të SHBA për Tajvanin kanë qenë gjithmonë një shtyllë e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe janë të parashikuara në ligjin amerikan”, theksoi zëvendësministri i Jashtëm Chen Ming-chi. Ai iu referua kështu “Taiwan Relations Act” të vitit 1979, në të cilin SHBA premtojnë të furnizojnë me pajisje ushtarake “me karakter mbrojtës”.

Trump heziton për dërgesat e armëve

Kjo, sipas tij, varet “nga Kina” dhe për SHBA-në është një “levë shumë e mirë negociuese”. “Mund ta bëjmë, mund edhe të mos e bëjmë”, tha ai në një intervistë për Fox News. Në Tajvan me gjasë nuk ka kaluar pa u vënë re gjithashtu se Trump ka përsëritur disa qëndrime të udhëheqjes komuniste kineze. Kështu, ai e paralajmëroi Tajvanin të mos shpallë zyrtarisht pavarësinë nga Kina – edhe pse për këtë nuk ka shenja konkrete.

“Nuk duam që dikush të thotë: le të shpallim pavarësinë, sepse Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pas nesh”, tha Trump. Në dhjetor, administrata Trump kishte miratuar një paketë armatimi për Tajvanin në vlerë prej 11 miliardë dollarësh. Aktualisht, miratimi i Trump për një paketë të dytë, me vëllim rreth 14 miliardë dollarë, ende është në pritje.

Kina e konsideron Tajvanin territor të saj

Udhëheqja kineze thekson vazhdimisht se nuk përjashton në mënyrë të plotë një zgjidhje ushtarake për të marrë nën kontroll Tajvanin. Prej vitesh ushtria po forcohet në mënyrë masive, zhvillohen rregullisht manovra të mëdha detare pranë Tajvanit, ndërsa avionët luftarakë kinezë fluturojnë afër ishullit.

Ishulli kryesor i Tajvanit ndodhet vetëm 80 kilometra larg bregdetit të Kinës kontinentale dhe që nga viti 1949 është vetëqeverisës. Ai nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore Komuniste të shpallur në vitin 1949. Megjithatë, Kina e konsideron Tajvanin si territor të saj./DW

Komento: