
Tre aksidente të rënda trafiku janë raportuar sot në Kosovë, me pasoja fatale dhe disa persona të lënduar në Klinë, Ferizaj dhe Vushtrri.
Në fshatin Dollc të Klinës, rreth orës 04:55, ka ndodhur një vetaksident me fatalitet. Sipas Policisë së Kosovës, një person ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa katër të tjerë janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës.
“Si pasojё e kёtij vetaksidenti njё person ka pёsuar me fatalitet, vdekjen e sё cilit e kanё konstatuar ekipi mjekёsor nё vendin e ngjarjёs, ndёrsa katёr (4) tё tjerё janё dёrguar nё spitalin rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor dhe tё njëjtit sipas mjekёve janё jasht rrezikut pёr jetё”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se, me urdhër të Prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Ndërkohë, një aksident tjetër me fatalitet ka ndodhur mesditën e së hënës në fshatin Koshare të Ferizajt, ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, se një person 60-vjeçar ka humbur jetën.
“Sot rreth orës 12:15 kemi pranuar informatën se në fshatin Koshare të Ferizajt ka ndodhur një aksident trafiku ku janë përfshirë dy vetura me targa vendore. Si pasojë e ketij aksidenti ka humbur jetën një person, mashkull, i moshës 60-vjeç, vdekja e të cilit është konfirmuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor”, ka deklaruar Veseli.
Po ashtu, një aksident trafiku mes tri veturave është raportuar në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë. Sipas Policisë, gjashtë persona kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri nga shoferët ka marrë lëndime të rënda trupore.
“Sot, më 18.05.2026, rreth orës 11:50, në rrugën Mitrovicë–Prishtinë, saktësisht në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore. Në aksident janë përfshirë tri automjete me targa civile vendore. Deri tani, gjashtë persona kanë pësuar lëndime, ndërsa njëri nga drejtuesit e automjeteve ka pësuar lëndime të rënda trupore. Personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit në Vushtrri, ndërsa pesë prej tyre janë dërguar për trajtim të mëtejmë në QKUK. Njësitë përkatëse policore janë duke u marrë me hetimin e rrethanave të aksidentit”, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri, zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Jugut, Ilmi Prekazi.