
Me thirrje e pankarta për mundësimin e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në shqip përveç maqedonishtes, studentët shqiptarë filluan marshin protestues në Shkup nga Ura e Gurit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Ata kërkojnë që institucionet shtetërore ta zbatojnë Ligjin e gjuhëve dhe zëri i tyre të dëgjohet, shkruan Portalb.mk.
Me pankarta “Ligj në letër, diskriminim në praktikë”, “Gjykata politike e Maqedonisë së Veriut”, “Respekto Ligjin për Gjuhët”, “Gjykata destabilizuese”, “Politika ka korruptuar Gjykatën Kushtetuese“, “Përgjegjësi” dhe “Ligji për gjuhët është i qartë”, studentët kërkojnë që institucionet të respektojnë
ligjin e gjuhëve dhe që ligji të mos mbetet thjeshtë në letër, por i njëjti të zbatohet.
Pavarësisht protestave të studentëve shqiptarë dhe premtimeve të përsëritura nga pushteti, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe vazhdon të mbetet pa zgjidhje konkrete institucionale.
Funksionarë të lartë të VLEN-it dje thanë se e kanë zgjidhur problemin për të cilin sot studentët protestojnë sërish, gjegjësisht provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe.
“Provimi i jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe! Së shpejti me lajme të mira”, shkruajtën Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
Por, të pyetur sot nga Portalb.mk, ata heshtin dhe nuk japin asnjë detaj konkret.
Ndaj deklaratave të pushtetit reagoi Bujar Osmani nga BDI.
“Paskan thënë: Rrini rahat. Jo, jo… tash krejt do rrimë rahat, sepse punën e kanë marrë në dorë studentët, pjesa më e shëndoshë, më e pastër dhe më e ndërgjegjshme e shoqërisë”, tha Osmani.
Edhe Qeveria ka paralajmëruar zgjidhje, por deri më tani nuk ka përgjigje konkrete se cila do të jetë zgjidhja.
Ndërkaq nga Ministria e Drejtësisë na thanë se do të përgjigjen pas protestës së sotme.
Pasi thanë se është çështje e zgjidhur, u takuan për të thënë që ende s’ka zgjidhje, por “punohet”
Sot, kryeministri, Hristijan Mickoski, zhvilloi takim me bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, në të cilin u diskutua tema e përdorimit të gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës.
“Institucionet punojnë në mënyrë aktive në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit”, thanë nga Qeveria.
Protesta e studentëve ka marrë mbështetje nga politikanë, funksionarë nga rajoni dhe më gjerë, mes tyre edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore Bebe Rexha.
Kjo është protesta e dytë e studentëve e cila erdhi pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore. Protesta e parë u mbajt më 6 prill 2026 në Shkup.
Kronologjia e ngjarjes
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe po përcillet me bujë të madhe periudhën e fundit pasi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Por kjo kërkesë deri tani ka hasur në vesh të shurdhër.
Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.
Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues. Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por parashtroi ankesë ndaj këtij vendimi.
Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.
Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse pati deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.
Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.
Kujtojmë se Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.