Kurti thotë se Vjosa Osmani do pushtet dhe se s’duhet të jetë Presidente, komenton edhe deklaratën për Bondsteel-in

22:37 | 18 Maj 2026

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente, ka thënë se për president nuk duhet të jetë dikush që dëshiron pushtet, ka ambicie politike dhe librezë partie.

Ai ka thënë se nuk kanë votë për Osmanin presidente.

“Unë nuk mendoj që president duhet të jetë dikush që dëshiron pushtet, i cili ka ambicie politike, që ka librezë partie, që merr pjesë në politikë ditore. Kushtetushmëria jonë është e tillë. Kjo është bindja ime e fuqishme për të ardhmen tonë përpara”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka thënë se ish-presidentja Vjosa Osmani do pushtet dhe ka ambicie politike, teksa tha se mirë që ka hyrë në garë.

“Unë e di që presidentja Osmani ka ambicie politike. Ajo do pushtet. Është krejt në rregull, është plotësisht legjitime në demokraci. Po e ritheksoj për këtë është gara politike. Shumë mirë që ka hyrë në garë politike”, ka thënë Kurti në KTV.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e Osmanit se po kërkohet qira për Bondsteelin.

Tha se opozita s’duhet t’i përdorë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “ta sulmuar” kryeministrin.

“Bondsteel nuk i ka borxh askujt sepse pronat private që i ka marrë në shfrytëzim tashmë paguan qira. Për shëndetin e demokracisë sonë dhe pak për forcimin e opozitës është e rëndësishme që të mos shkojnë në Amerikë, ta marrin Amerikën e ta sulmojnë kryeministrin e Kosovës. Po duket që po, po e bën edhe Osmani”, tha Kurti.

Sa i përket opozitës, Kurti ka thënë se nuk ka kryeministër që e ka respektuar opozitën më tepër.

“Mua më ndjeknin me polici kur isha në opozitë. Ma thejshin banesën çdo vit”, ka theksuar Kurti.

Komento: