Rasti i ngacmimit në Gjakovë, KOMF kërkon nga organet e drejtësisë të ndërmarrin veprime

15:20 | 20 Maj 2026
rasti-i-ngacmimit-ne-gjakove,-komf-kerkon-nga-organet-e-drejtesise-te-ndermarrin-veprime

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me rastin e raportuar në Komunën e Gjakovës, ku drejtori i një shkolle dyshohet për ngacmim seksual ndaj një vajze 17-vjeçare, nxënëse e shkollës.

Përmes një postimi në Facebook, KOMF u bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke garantuar trajtim me prioritet të rastit, mbështetjen e menjëhershme të fëmijës dhe vendosje të drejtësisë. KOMF thotë se kërkon llogaridhënie të plotë dhe transparencë në trajtimin e rastit, në mënyrë që raste të tilla të mos mbeten pa ndëshkim.

“KOMF kërkon forcimin e mekanizmave për verifikim të personelit arsimor, përmes vlerësimit të integritetit profesional, respektimit të standardeve etike dhe mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve në institucionet arsimore, si dhe zbatimin e trajnimeve të detyrueshme dhe të vazhdueshme për stafin mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e abuzimit”, thuhet në postimin e KOMF.

Tutje, KOMF u ka bërë thirrje fëmijëve dhe bashkëmoshatarëve që të raportojnë çdo sjellje, veprim apo situatë që cenon integritetin, dinjitetin dhe sigurinë e tyre.

Komento: