
Deklaratat e institucioneve të Kosovës për nisjen e procedurave drejt formimit të një strukture të re të veçantë të sigurisë, Xhandarmërisë së Kosovës kanë marrë vëmendjen e misionit të KFOR-it.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kjo strukturë do të ketë një gamë të gjerë përgjegjësish, nismë kjo që po ndiqet nga afër prej forcave të NATO-s në Kosovë.
Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR-i ka sqaruar pozicionin e tij karshi këtij zhvillimi, duke vënë theksin te bashkëpunimi dhe respektimi i mandateve ekzistuese.
Misioni i NATO-s ka konfirmuar se është duke përcjellë me vëmendje hapat e parë të institucioneve të Kosovës për këtë strukturë të re.
KFOR-i rikujtoi se, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, mbetet garantuesi kryesor për një mjedis të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët pa dallim.
“NATO vazhdon të bashkëpunojë me të gjitha organizatat e sigurisë në Kosovë dhe të ofrojë kontributet e veta për sigurinë e qëndrueshme […]. Në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Gjithashtu, KFOR-i vuri në dukje se Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) deri më tani ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) vetëm në kuadër të mandatit të saj origjinal të mbrojtjes civile, përmes trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve. Misioni pret që çdo strukturë e re të ndjekë të njëjtën rrugë bashkëpunuese për të ruajtur stabilitetin rajonal dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve.
Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim zëvendës ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Partneritete në NATO, Kevin Hamilton, me të cilin sipas ZKM-së, është folur edhe për Xhandarmërinë.
“U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim”, ka njoftuar ZKM.