100 eurot nga Qeveria, Ismaili: Përpjekje e ulët për blerje të votave

12:50 | 22 Maj 2026
100-eurot-nga-qeveria,-ismaili:-perpjekje-e-ulet-per-blerje-te-votave

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Mentor Ismaili ka reaguar për shpërndarjen e 100 eurove nga Qeveria në detyrë duke thënë se sot po jetojmë në një realitet të rëndë, ku propaganda po tentohet të zëvendësojë dinjitetin e qytetarëve.

Sipas tij, kjo nuk është politikë sociale, por përpjekje e ulët për blerje të votave.

“Qytetarët meritojnë një shtet që i mbron, jo një pushtet që i përdor. Dhe për këtë arsye, kjo qeverisje duhet të ndëshkohet politikisht nga vetë populli”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Sot po jetojmë në një realitet të rëndë, ku propaganda po tentohet të zëvendësojë dinjitetin e qytetarëve. Në njërën anë shpërndajnë nga 100 euro për të fituar simpati momentale, ndërsa në anën tjetër qytetarëve ua marrin dheun nën këmbë, ua shkatërrojnë ekonominë familjare me koston e lartë të çmimeve dhe ua zbehin shpresën për të ardhmen.

Kjo nuk është politikë sociale. Kjo është përpjekje e ulët për blerje vote dhe manipulim të varfërisë së popullit.

Bota demokratike po çuditet me mënyrën se si kjo qeveri ka arritur të izolojë Kosovën, të lëkundë raportet me aleatët ndërkombëtarë dhe të krijojë kriza të njëpasnjëshme politike e institucionale. Në vend të zhvillimit, kemi arrogancë. Në vend të vizionit, kemi propagandë. Në vend të partneritetit me miqtë tanë, kemi përplasje dhe degradim të imazhit shtetëror.

Ky model qeverisjeje i bezdisshëm dhe i dëmshëm nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Kosova nuk ndërtohet me mashtrime mediatike, por me përgjegjësi, profesionalizëm dhe respekt ndaj qytetarit e aleatëve strategjikë.

Qytetarët meritojnë një shtet që i mbron, jo një pushtet që i përdor. Dhe për këtë arsye, kjo qeverisje duhet të ndëshkohet politikisht nga vetë populli.

Komento: