Pentagoni publikon grupin e dytë të dosjeve të deklasifikuara për UFO

18:10 | 22 Maj 2026
pentagoni-publikon-grupin-e-dyte-te-dosjeve-te-deklasifikuara-per-ufo

SHBA-të kanë publikuar të premten një seri të dytë dokumentesh të deklasifikuara lidhur me raportime për UFO, të cilat përfshijnë rrëfime të dëshmitarëve për sfera misterioze jeshile, disqe dhe topa zjarri.

Sipas autoriteteve amerikane, publikimi i ri vjen pas koleksionit të parë të dokumenteve të Departamentit të Mbrojtjes, i cili ishte bërë publik më 8 maj me urdhër të presidentit Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve për transparencë rreth fenomeneve të paidentifikuara fluturuese.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se materialet e publikuara së fundi, përfshirë dokumente, imazhe dhe video që lidhen me atë që qeveria i quan “fenomene anomale të paidentifikuara”, kanë ushqyer spekulime për vite me radhë.

“Është koha që populli amerikan ta shohë vetë këtë”, tha ai në një deklaratë.

“Ky publikim i dokumenteve të deklasifikuara tregon angazhimin serioz të administratës Trump për transparencë të paparë”, shtoi Hegseth.

Në mesin e 222 dosjeve të publikuara, gjendet edhe një raport prej 116 faqesh që përshkruan hetime dhe pamje të regjistruara në një strukturë shumë të klasifikuar në Sandia, New Mexico, në periudhën 1948–1950, pranë zonës së incidentit të vitit 1947 në Roswell, i cili shpesh lidhet me teori konspirative për përplasje të mundshme të një UFO-je.

Sipas Departamentit të Mbrojtjes, raporti përmban 209 pamje të “sferave të gjelbra”, “disqeve” dhe “topave të zjarrit” të raportuara pranë bazës ushtarake.

Komento: