Lushtaku publikon raportin e Policisë: Qartë thotë se s’ka pasur sulm, Kurti do përgjigjet në gjykatë

21:25 | 22 Maj 2026
lushtaku-publikon-raportin-e-policise:-qarte-thote-se-s’ka-pasur-sulm,-kurti-do-pergjigjet-ne-gjykate

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, përmes një postimi në Facebook, ka ndarë raportin e Policisë, lidhur me deklarimin e ditëve më parë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi që ky i fundit kishte pretenduar se Lushtaku kishte tentuar ta godiste eskortën e tij me veturë.

Lushtaku, në postimin e tij, ka thënë se raporti i Policisë, e ‘’nxjerr në pah të vërtetën dhe e demanton plotësisht shpifjen dhe propagandën’’ e Kurtit.

‘’Raporti thotë qartë se nuk ka pasur as sulm ndaj eskortës dhe as rrezikim të sigurisë në komunikacion. Pra, gjithçka ka qenë një gënjeshtër e fabrikuar për përfitime politike dhe për të njollosur emrin tim para qytetarëve’’, ka shkruar Lushtaku mes tjerash.

Postimi:

As sulm, as rrezikim. Vetëm shpifje dhe gënjeshtër e Albin Kurtit.

E gjeni të bashkëngjitur raportin zyrtar të Policisë, i cili e nxjerr në pah të vërtetën dhe e demanton plotësisht shpifjen dhe propagandën e Albin Kurtit për kinse “sulm me makinë” ndaj tij dhe eskortës përcjellëse.

Raporti thotë qartë se nuk ka pasur as sulm ndaj eskortës dhe as rrezikim të sigurisë në komunikacion. Pra, gjithçka ka qenë një gënjeshtër e fabrikuar për përfitime politike dhe për të njollosur emrin tim para qytetarëve.

Unë nuk jam mësuar të fshihem pas mashtrimeve e deklaratave propaganduese. Gjithmonë kam qëndruar drejt para Zotit, familjes dhe qytetarëve. Prandaj sot, faktet flasin vetë.

Askush nuk mund të shpifë e të manipulojë opinionin publik e të kalojë pa u përballur me përgjegjësi. Për këtë gënjeshtër publike dhe këtë shpifje të ulët, Albin Kurti do të përgjigjet para gjykatës!

SL

Komento: