
Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se gjatë 16 muajve të fundit ka ngritur 139 aktakuza ndaj 142 personave për veprën penale “Ndërtimi pa leje”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të prokurorisë, vetëm gjatë vitit 2025 janë ngritur 112 aktakuza kundër 113 personave, pas zhvillimit të veprimeve hetimore lidhur me këtë vepër penale.
Ndërkaq, në periudhën janar – prill 2026, prokurorët e kësaj prokurorie kanë ngritur edhe 27 aktakuza ndaj 29 personave për ndërtime pa leje.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha veprave penale, me fokus të veçantë ndaj ndërtimeve pa leje, duke paralajmëruar vazhdimin e veprimeve hetimore dhe ligjore ndaj të gjithë personave që veprojnë në kundërshtim me ligjin.
Sipas prokurorisë, këto veprime kanë për qëllim mbrojtjen e rendit juridik dhe interesit publik.