Kongresistët amerikanë vizitojnë Preshevën mes shqetësimeve për të drejtat e shqiptarëve në Serbi

08:40 | 26 Maj 2026
kongresistet-amerikane-vizitojne-presheven-mes-shqetesimeve-per-te-drejtat-e-shqiptareve-ne-serbi

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga demokratët, do të qëndrojnë sot në Preshevë, ku pritet të takohen me përfaqësues të pushtetit lokal, partive politike shqiptare dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Vizita në këtë qytet në jug të Serbisë, të banuar me shumicë shqiptare, vjen pasi, në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan miratoi një projektligj, që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Projektligji, i iniciuar nga kongresisti Keith Self, parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pakicën shqiptare në Serbi, përfshirë pasivizimin e adresave, përkatësisht fshirjen e qytetarëve nga adresat ku janë të regjistruar.

Ai trajton, gjithashtu, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave nga Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Këto çështje janë përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e vlerësoi vizitën e kongresistëve amerikanë si një sinjal të rëndësishëm të vëmendjes ndërkombëtare ndaj pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Një ditë më parë, ata qëndruan në Beograd, ku u takuan me sekretaren shtetërore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq.

Sipas njoftimit të kësaj ministrie, në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe SHBA-së, për situatën në rajon, si dhe për pozitën e komunitetit serb në Kosovë.

Po ashtu, ishte planifikuar edhe një takim me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, por ai u anulua.

Më 24 maj, kongresistët amerikanë vizituan edhe Sarajevën, ku theksuan përkushtimin e tyre ndaj Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe integritetit territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.

Ata pritet ta vazhdojnë turneun në Ballkan me një vizitë edhe në Kosovë.

Komento: