
Në Tiranë ka nisur një marshim në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë më shumë të drejta për gjuhën shqipe në institucionet arsimore dhe publike.
Dhjetëra të rinj dhe të reja janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, duke marshuar me pankarta në duar dhe duke përcjellë mesazhe solidariteti dhe uniteti kombëtar.
Në fjalën e mbajtur një prej studentëve nga Maqedonia e Veriut tha se gjuha shqipe është amanet dhe identitet kombëtar ndaj ata nuk do heshtin deri në arritjen e të drejtës së tyre legjitime.
“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë”, tha njëri prej protestuesve nga Maqedonia e Veriut.