Kurti: Vdekja e Hafiz Gagicës humbje e madhe, s’kurseu asgjë për jetësimin e forcimin e sistemit të Republikës së Kosovës në vitet ’90

11:10 | 28 Maj 2026
kurti:-vdekja-e-hafiz-gagices-humbje-e-madhe,-s’kurseu-asgje-per-jetesimin-e-forcimin-e-sistemit-te-republikes-se-kosoves-ne-vitet-’90

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka quajtur humbje të madhe ndarjen nga jeta të Hafiz Gagicës, veprimtarit të çështjes kombëtare në mërgatë i cili vdiq dje.

Kurti tha se Gagica do të mbahet në mend, ndër të tjera, si “atdhetar e veprimtar i palodhur”.

“Ndarja nga jeta e Hafiz Gagicës është një humbje e madhe dhe lajm i hidhur. Hafiz Gagica do të mbahet mend si bartës i organizimit të mërgatës tonë në Gjermani, si atdhetar e veprimtar i palodhur, që nuk kurseu asgjë për jetësimin dhe forcimin e sistemit të Republikës së Kosovës që ndodhej nën okupim gjatë viteve të ’90-ta. Ai ishte mik i ngushtë i Jusuf Gërvallës, njëri nga aktivistët e hershëm e të zotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në mërgatë, si dhe bashkëpunëtor i afërt i Sali Çekajt dhe i presidentit Ibrahim Rugova”, shkroi ai.

“Ai u bë zë i Kosovës edhe në lobim dhe në takime të rëndësishme në kohë të vështira. Ndërsa nuk do të harrohet asnjëherë tubimi në Bonn më 1998, për të cilin ai punoi shumë, e ku morën pjesë më shumë se 100 mijë shqiptarë që kërkuan liri për Kosovën. Nderime për jetën dhe veprën e Hafiz Gagicës. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve!”, shtoi Kurti.

Komento: